1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Shoqëria & Kultura

Shqiperia dhe procesi i Bolonjes

"Ndërtimi i shoqërisë globale të dijes” është tema e një takimi ministror për procesin e Bolonjës. Përfaqësuesit nga 46 vende, ndër to edhe Shqipëria, synon të shkëmbejnë përvojat në fushën e arsimit të lartë.

Kur ministri gjerman i Arsimit, Jürgen Rüttgers, bashkë me homologun italian Luigi Berlinguer dhe atë francez Claude Allegre, nënshkruan në vitin 1998, në Paris “Deklaratën e Sorbonës” për të “harmonizuar arkitekturën e sistemit të arsimit të lartë evropian”, shqiptarët vizionarë ishin të sigurtë që një ditë edhe Shqipëria do të bëhej pjesë e këtij procesi. Kjo ndodhi pas pesë vitesh, në vitin 2003, kur Shqipëria nënshkroi aderimin e saj në procesin e Bolonjës.

Ministri i Arsimit të Lartë të Shqipërisë, Myqerem Tafaj, thotë se pjesëmarrja e vendit në këtë proces është një histori suksesi në aplikimin e standardeve evropiane në ciklet e marrjes së gradave akademike, përdorimin e sistemit të krediteve dhe në plotësimin e kuadrit institucional. Ky kuadër siguron autonominë financiare të universiteteve dhe lirinë akademike.

Po ç'synon në fund të fundit procesi i Bolonjës? “Bolonja synon të arrijë një përafrim të sistemeve që të lehtësojë lëvizjen e studentëve në universitetet e vendeve që marrin pjesë në këtë proces, njohjen e diplomave dhe në mënyrë të veçantë të krijojë hapësira të plota që të diplomuarit, kudo që të diplomohen, të kenë shanse për të konkurruar në tregun global të punës, kryesisht në tregun evropian.” - sqaron ministri Tafaj. Që kjo të arrihet krahas formës së sistemit të arsimit të lartë në përputhje me standartet e procesit te Bolonjës, lipset edhe cilësia dhe përmbajtja e tij.

Cilësia – sfida kryesore afatgjatë

Cilësia mbetet “thembra e Akilit” për arsimin e lartë në Shqipëri. “Kryefjala mbetet cilësia. Kemi ende shumë punë për të bërë që të themi që mjekët që përfundojnë studimet në Shqipëri të pranohen të punojnë mjekë në Gjermani apo në Itali, apo juristët që diplomohen në Shqipëri, të kërkojnë licensa për juristë në këto vende, apo farmacistët... për këtë na duhet kohë.” - shpjegon ministri i Arsimit të Lartë Myqerem Tafaj.

Studentë të Universitetit të Tiranës

Kohë, financim dhe kapacitete. Arsimi i lartë financohet vetem me 1% të prodhimit të brendshëm bruto. Ministri Tafaj beson se kjo shifër pas disa vitesh do të dyfishohet. Ndërkohë një bashkëpunim gjermano-finlandez, i financuar nga Banka Botërore synon të vlerësojë që tani përmbajtjen dhe cilësinë e arsimit të lartë në Shqipëri.

“DAAD-ja gjermane dhe kompania finlandeze "Consulting" do të jenë ato që do të bëjnë vlerësimin që do të shpallet në prill. Pas kësaj një projekt tjetër do të bëjë klasifikimin e të gjitha diplomave shqiptare të universiteteve publike dhe private. Mbi bazën e këtij vlerësimi do të rishihen të gjitha politikat, ku Shqipëria duhet të investojë më shumë.” - shpjegon ministri Tafaj.

Bashkëpunimi evropian dhe rajonal – çelësi i suksesit

Në hartimin e politikave universitare Shqipëria përfiton nga përvojat e vendeve të BE-së dhe atyre në rajon me të cilat bashkëpunon ngushtë. Duke përmendur këto vende Tafaj sqaron: “Kemi bashkëpunim intensiv me Gjermaninë, Francën, Italinë, Greqinë, Belgjikën. Shumë nga kurrikulat janë zhvilluar duke bashkëpunuar me vendet e rajonit, me Kosovën kemi shumë diploma pothuaj se të njëjta. Me Serbinë kemi zhvilluar projekte në kuadrin e programit TEMPUS, me Bosnje-Hercegovinën, me Slloveninë, e deri tek vendet nordike."

Autor: Ani Ruci
Redaktor: Pandeli Pani

DW.DE

Më shumë nga rubrika