Buxhet me borxhe rekord : Buxheti i 2010 ka arritur me 80 miliardë euro borxhe të reja nivel rekord. Për vitet e ardhme qeveria federale gjermane njoftoi ndjekjen e një kursi kursimi.
Parlamenti gjerman, Bundestag aprovoi ditën e premte (19.3.), buxhetin për vitin 2010.
Parlamenti gjerman, Bundestag aprovoi ditën e premte (19.3.), buxhetin për vitin 2010. Ai parashikon me 80.2 miliardë euro arritjen e një niveli borxhesh të reja që është më i larti në historinë e Gjermanisë Federale, me gati dyfishin e rekordit të borxheve të vitit 1996. Unionin Kristiandemoktrat dhe Partia e Demokratëve të Lirë, mbrojtën vendimin për marrjen e borxheve të reja duke përmendur krizën financiare dhe ekonomike. Ministri i Financave Wolfgang Schäuble bëri të ditur ndjekjen e një kursi të fortë kursimesh në vitin 2011, kurs që është i nevojshëm për të mbajtur euron të fortë.
Parlamentarët diskutuan katër ditë me radhë për buxhetin e këtij viti duke i dhanë më në fund bekimin me shumicën e votave të fraksioneve që marrin pjesë në qeveri. Por, politikanët mendonin më shumë për buxhetin e vitit 2011. Si do arrihet që të ulet mali me borxhe, mal që ka arritur nivel historik, siç thotë kryetarja e zgjedhur e partisë "Të majtët", Gesine Lötzsch, në debatin përfundimtar? "Ne flasim për 80 milionë borxhe të reja. Këtyre u shtohen 27 miliardë euro ndihma kapitalesh dhe gati 17 miliardë euro për fondin e amortizimit. Shuma arrin në 124 miliardë. Gjendje më e keqe buxheti nuk mund të bëhet."
Pas 2011 kurs i ashpër kursimesh
Pas vitit 2011 qeveria federale duhet t`i përmbahet kufirit të borxheve të ankoruar në Kushtetutë, që do të thotë se deri në vitin 2016 deficiti strukturor (=deficiti i vazhdueshëm, i ndryshëm nga deficiti koniunkturor) duhet të ulet hap pas hapi deri në maksimum 0,35 përqind të prodhimit bruto në vend. Kjo do të thotë se duke filluar që nga buxheti tjetër duhen kursyer çdo vit deri në 10 miliardë euro, dhe nëse interesat rriten madje 15 miliardë.
Kancelarja Merkel dhe ministri i Financave Schäuble
Eksperti i Partisë së Demokratëve të Lirë, Jürgen Koppelin tregon drejtimin për vitin 2011."Buxheti duhet të bëhet modest. Ne duhet të vazhdojmë rrugën e konsolidimit dhe unë u them të gjithë ministreve dhe ministrave se në propozimet që do bëjnë për buxhetin e 2011 duhet të kenë parasysh që të kërkojnë më të domosdoshmet. Rritje të buxhetit unë nuk shoh. Pra dhe për ju vlen të thuhet që në fillim, kursim, kursim e sërish kursim."
Por, ku dhe si?
Ministri i financave nuk flet për këtë. Zyrtarisht thuhet se duhen pritur parashikimet e grupit vlerësues të të ardhurave fiskale, i cili mblidhet në fillim të majit. Opozita hamendëson se qeveria federale nuk dëshiron të trembë zgjedhësit para zgjedhjevë në Landin e Renanisë Veriore, Vestfalisë që priten të mbahen në muajin maj. Në ministrinë e Financave, thotë politikani i socialdemokratëve Joachim Poß, është e ndaluar të përpunohen propozime për buxhetin e ardhshëm. "Në asnjë nga sektorët nuk është përpiluar koncepti për vitin e ardhshëm. As për situatën financiare të komunave, as për politikën buxhetore dhe as atë të tregjeve financiare, ky është realiteti në këtë vend. Ata dështojnë para problemeve, të cilat duhet t`i shohin dhe zgjidhin. Kjo është gjendja."
Ministri i financave Wolfgang Schäuble nuk impresionohet nga këto kritika. Në fund të debateve ai i drejtoi një apel Partisë Socialdemokrate që të të mos ekzagjerojë problemet për të thelluar më shumë hendekun politik. Schäuble njoftoi për vitin tjetër një plan financiar "ambicioz" me të cilin do të arrihet të bëhet rehabilitimi i arkave të shtetit. Vitin e ardhshëm kursimet nuk do të jenë shumë të mëdha. Ato do të shtohen shumë në vitin 2012 dhe 2013. "Në këtë mënyrë ne mund të përmbushim kërkesat e Paktit evropian të stabilitetit dhe zhvillimit. Dhe nëse ne, nëse Republika Federale Gjermane nuk e plotëson atë, atëherë do të dështojë. Dhe nëse dështon ajo, atëherë dështon shumë më tepër se vetëm Pakti evropian i stabilitetit dhe zhvillimit. Dhe në këtë botë të globalizuar ne kemi nevojë për një Evropë të fortë, të besueshme, të aftë për të vepruar dhe një monedhë të fortë evropiane."
Autor: Sabine Kinkartz / Aida Cama
Redaktoi: Eliana Xhani